Wednesday, August 19, 2026
spot_img
HomeLajmeSBASHK-u shpreh shqetësim që disa mësimdhënës edhe sivjet po konsiderohen si “tepricë...

SBASHK-u shpreh shqetësim që disa mësimdhënës edhe sivjet po konsiderohen si “tepricë teknologjike”

Procesi mësimor në Kosovë pritet të nisë më 1 shtator.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkëncës dhe Tekonologjisë kanë thënë për Klankosova.tv se të gjithë mësimdhënësit janë gati për të nisur vitin e ri shkollor.

Por, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga hapja e dyerve të shkollave, nga kjo sindikatë kanë shprehur shqetësim për një çështje që po vazhdon t’i përcjellë tash e sa vite.

Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, ka thënë se nuk i kuptojnë zërat që në disa komuna mësimdhënësit po konsiderohen si “tepricë teknologjike”.

“Ne kemi një shqetësim sa i përket disa komunave që po proklamojnë se disa mësimdhënës janë ‘tepricë teknologjike’. Sinqerisht nuk i kuptoj, për shkak se në ato komuna ka konkurse të hapura për mësimdhënësit dhe vazhdimisht pranojnë, por sigurisht duan ta heshtin zërin kritik”, ka thënë Ymeri për Klankosova.tv.

Ndërkohë, sa i përket procesit të ri mësimor, ai ka thënë se sipas informatave që kanë, të gjitha shkollat janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Bazuar në informacionet që kemi pranuar, mësimdhënësit që ne i përfaqësojmë kanë nisur të paraqiten në shkolla dhe janë të gatshëm për nisjen e procesit mësimor. Në shumicën e shkollave veçse kanë përfunduar përgatitjet, në disa tjera renovimet janë në përfundim dhe presim që mësimi të nisë me kohë”, ka deklaruar ai.

Ymeri ka thënë se shpreson që procesi i subvencionimit të librave shkollorë të shkojë mirë dhe që nxënësit të mos vonohen me pranimin e tyre.

Ai ka hequr dilemat se kjo sindikatë po planifikon të organizojë ndonjë veprim sindikal që do të mund të vononte fillimin e procesit mësimor, pasi shpreson se kërkesat do të merren parasysh nuk niveli qendor.

Ndryshe, edhe nga Ministria e Arsimit kanë konfirmuar për Klankosova.tv se mësimi do të fillojë më 1 shtator.

Por, nga Këshilli i Prindërve sërish janë shprehur pakënaqësi për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore dhe disa kërkesa tjera, e që sipas tyre, nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. /Klankosova.tv

Kur nis procesi mësimor? – Prindërit të indinjuar me mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT