Friday, August 21, 2026
spot_img
HomeLajmeRusia merr në shënjestër gazetarin gjerman pas pyetjes për Zelenskyn

Rusia merr në shënjestër gazetarin gjerman pas pyetjes për Zelenskyn

Rusia ka nisur veprime ligjore ndaj gazetarit gjerman Michael Martens, korrespondent i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, pas një pyetjeje që ai ia kishte drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një konference për media në Beograd më 8 gusht.

Martens kishte pyetur se çfarë mund të bënin evropianët për ta ndihmuar Ukrainën që të “vrasë më shumë rusë”, duke sqaruar menjëherë se i referohej ushtarëve rusë.

Ambasada ruse në Gjermani më pas i është drejtuar Prokurorisë së Berlinit, duke kërkuar vlerësim ligjor të deklaratës së gazetarit, me pretendimin se formulimi mund të interpretohet si thirrje për vrasje.

Prokuroria e Berlinit ka konfirmuar se e ka pranuar kërkesën, por ka sqaruar se kjo nuk do të thotë se ndaj Martens është hapur zyrtarisht një hetim penal. Autoritetet gjermane po shqyrtojnë nëse ekziston bazë fillestare për procedim.

Rasti ka nxitur reagime edhe në Gjermani. Shoqata Gjermane e Gazetarëve ka kritikuar veprimet e Moskës, ndërsa Ministria e Jashtme gjermane ka deklaruar se Rusia po vepron gjithnjë e më agresivisht ndaj lirisë së medias.

Edhe redaksia e FAZ-it ka reaguar, duke thënë se formulimi i pyetjes së Martens ishte “i paqartë”, por se ajo lidhej me debatet për mënyrën se si Ukraina mund të mbështetet ushtarakisht. Gazeta ka paralajmëruar gjithashtu se do të ndërmarrë hapa ligjorë për mbrojtjen e gazetarit.

Vetë Martens ka pranuar më herët se kishte gabuar kur përdori shprehjen “ne, evropianët”, duke thënë se një formulim i tillë e vendoste atë në një rol që nuk i përshtatet gazetarit.

Ai, megjithatë, ka mbrojtur qëndrimin e tij se Rusia duhet të vihet nën presion të fortë ushtarak përpara se të mund të arrihet një marrëveshje paqeje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT