Tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë dërguar në spital pas rrëzimit të një helikopteri lajmesh në periferi të Los Angelesit, kanë njoftuar autoritetet zjarrfikëse.
NBC Los Angeles konfirmoi se helikopteri ishte “NewsChopper4”, i cili përdorej edhe nga televizioni Telemundo 52. Mjeti fluturues ndodhej në zonën e Chatsworth për të raportuar mbi një aksident të rëndë me autobus, kur u rrëzua pak para orës 19:00 sipas kohës lokale.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit, helikopteri u rrëzua mes dy ndërtesave tregtare. Përplasja shkaktoi zjarr, i cili përfshiu katër automjete dhe dy kontejnerë magazinimi. Në vendngjarje u angazhuan më shumë se 70 zjarrfikës.
Departamenti i Policisë së Los Angelesit bëri të ditur se ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në bord, ndërsa identitetet e viktimave nuk janë bërë publike.
Gjatë një transmetimi në NBC4, moderatorja e lajmeve Colleen Williams konfirmoi se helikopteri i rrëzuar ishte i televizionit.
“E dinim se ishte një helikopter lajmesh. E dinim se kishim humbur kontaktin me kolegët tanë atje dhe sapo kemi marrë konfirmimin”, tha Williams.
Helikopteri ndodhej në zonë për të raportuar mbi një tjetër aksident fatal. Më herët, dy persona kishin humbur jetën dhe gjashtë të tjerë ishin plagosur pasi një SUV u përplas me një autobus të qytetit në Chatsworth.
Kryebashkiakja e Los Angelesit, Karen Bass, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga humbja e jetëve, ndërsa guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe komunitetin e NBC4.
Hetimi për shkaqet e rrëzimit do të drejtohet nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


