Rrezarta Krasniqi ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 7 qershorit, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo e ka bërë të ditur vendimin përmes një njoftimi publik, ku ka thënë se pas shumë diskutimeve dhe reflektimeve personale ka vendosur të mos jetë kandidate për deputete në këto zgjedhje.
Në deklaratën e saj, Krasniqi thekson se pavarësisht moskandidimit, do të vazhdojë angazhimin e saj brenda LDK-së dhe në mbështetje të partisë.
“Falënderoj pafundësisht strukturat e LDK-së në Vushtrri dhe në gjithë Kosovën për mbështetjen, respektin dhe besimin e vazhdueshëm ndër vite. Për mua, kjo ka qenë gjithmonë vlera më e madhe politike dhe njerëzore. Si nënkryetare e degës në Vushtrri, do të vazhdoj të punoj pa u ndalur për fitoren e LDK-së, për forcimin e strukturave tona dhe për rikthimin e besimit qytetar tek vizioni rugovian që i duhet Kosovës më shumë se kurrë. Bashkë do të angazhohemi që më 7 Qershor ta rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës në krye të punëve. Edhe pse kësaj here nuk do të jem pjesë e listës zgjedhore, përkushtimi im ndaj LDK-së mbetet i palëkundur. Besoj fuqishëm se LDK është esenciale për shtetin e Kosovës dhe do të vazhdoj të kontribuoj me të njëjtin ideal, energji dhe përgjegjësi politike.LDK ka kaluar gjithmonë sfida të mëdha, sepse forca e saj buron nga njerëzit e mirë të këtij vendi dhe nga besimi i tyre tek ata që i qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira. LDK nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pronë e interesave personale apo stacion i përkohshëm për ambicie individuale. LDK ËSHTË E POPULLIT.”, shkroi ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


