Sunday, August 23, 2026
spot_img
HomeLajmeRama mbledh socialistët në Pogradec, në qendër “Besa” – metoda e re...

Rama mbledh socialistët në Pogradec, në qendër “Besa” – metoda e re për rikthimin e besimit te qytetarët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur sezonin e ri politik me një takim me drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste, ku në qendër të diskutimeve është vendosur një prej ideve që ai e ka prezantuar si themel të mandatit të katërt – “Besa”.

Rama ka mbledhur në rezidencën qeveritare në Pogradec 12 drejtuesit politikë të PS-së, së bashku me kryetarët socialistë të Komisioneve Parlamentare. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa fokusi i diskutimeve mësohet të ketë qenë mënyra se si socialistët duhet ta rikthejnë besimin e qytetarëve te institucionet.

Në këtë kuadër, Rama ka kërkuar që secili ministër, drejtues, deputet dhe drejtues rajonal të ketë një rol më të drejtpërdrejtë në marrëdhënien me qytetarët.

“Besa”, në konceptin e paraqitur nga Rama, nuk është thjesht një dokument politik, por një mënyrë e re për funksionimin e administratës dhe për afrimin e saj me njerëzit. Ideja lidhet me rikthimin e një besimi që, sipas kryeministrit, është dëmtuar dhe nuk mund të rindërtohet me deklarata, por vetëm përmes një marrëdhënieje të vazhdueshme me qytetarët.

“Besimi nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji, nuk kthehet me një thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor”, kishte deklaruar Rama gjatë prezantimit të kësaj nisme.

Sipas tij, sfida kryesore e mandatit të katërt është që ky “ujë i trazuar i besimit” të mblidhet dhe të pastrohet përmes empatisë, shërbimit dhe një qasjeje më të afërt të institucioneve ndaj qytetarëve.

“Puna e mandatit të katërt është të mbledhim nga të gjitha burimet ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do të kthehen. Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik, Besa është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, ishte shprehur Rama.

Takimi në Pogradec duket se shënon kështu hapjen e diskutimeve të brendshme të socialistëve për ciklin e ri qeverisës, me fokus jo vetëm te drejtimi politik, por edhe te mënyra se si pushteti duhet të perceptohet dhe të përjetohet nga qytetarët.

Sipas agjendës jozyrtare, diskutimet do të vijojnë edhe nesër me ministrat e kabinetit, ndërsa në ditët e para të shtatorit pritet të mblidhet edhe Asambleja e Partisë Socialiste.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT