Saturday, June 13, 2026
spot_img
HomeLajmeQysh e kuptoi i burgosuri shqiptar në Serbi se Kosova kishte fituar?...

Qysh e kuptoi i burgosuri shqiptar në Serbi se Kosova kishte fituar? (VIDEO)

Sadik Zeqiri, ish-i burgosur politik, ka folur për përjetimin e lirisë në burgun e Serbisë.

Ai ishte dërguar në Serbi në kohën kur kishte mbaruar lufta dhe kur kishte fituar Kosova, por e vërteta mezi kuptohej nga rrenat e pushtetit serb në ditët e javët në vijim.

“Ne kemi qenë në burgun e Lipjanit deri më datën 10 qershor të vitit 1999, në Burgun e Lipjanit na kanë dërgu pas Masakrës, nga Dubrava në Lipjan, aty kemi qëndru dikun nja 16 ditë. Aty kemi pasë marrë informacionet që po bisedohet rreth marrëveshjes mes NATO-s dhe Serbisë, por nuk e dinim si po shkojnë punët”, ka rrëfyer Zeqiri në Edicionin Special të Klan Kosovës.

“Mëngjesin e 10 qershorit të vitit 1999, na kanë tubu nëpër dhoma, na kanë përgatitë sa i zë një autobus njerëzit e burgosur, na kanë lidhë duart pas shpine dhe na kanë transferu për burgje të Serbisë, do të thotë të gjithë të burgosurit nga Kosova i kanë nisë në mëngjesin e 10 qershorit në Serbi”.

“Ne kemi qenë në pavijonin B, na kanë dërgu në pavijonin A për ta plotësuar një autobus sepse kishin qenë plus tri ulëse në autobus, dhe nevojiteshin tre të burgosur. Ne në fakt, kemi mendu që po na lirojnë…sepse ashtu ia bënim qejfin vetes, dhe kur i kemi pa autobusat Llasta Beograd dhe Ekspres Nish, unë për vete e kam ditë që ata autobusa na dërgojnë për Serbi, e as për Maqedoni apo Shqipëri”.

Zeqiri tha se fillimisht atyre u ishte transmetuar se lufta kishte mbaruar dhe se Serbia kishte triumfuar, mirëpo edhe përkundër propagandës, ata kishin filluar ta kuptonin se realiteti qëndronte ndryshe.

“Dikur e kuptum që Serbia jo që kish hup po ish largu krejt”.

“Kemi me ju mytë se asnjë serb s’e keni lanë në Kosovë se janë ikë”, u thonin gardianët e burgut, pohon Zeqiri, dhe nga fraza të tilla, ata arrinin të kuptonin se kjo nuk nënkuptonte fitore.

Sidoqoftë, ai tha se deri në korrik nuk e kanë pasur të qartë se cili kishte qenë njëmend epilogu në Kosovë.

“Deri në korrik nuk e kemi ditë saktë se çka ka ndodh në Kosovë. Ne veç kemi supozu që e kemi fitu luftën, t’u i dëgju lajmet, t’u i deshifru ato fjalët e gazetarëve dhe reagimet e tyre. Në korrik kanë fillu lëvizjet e letrave, ka ardhë na ka vizitu Kryqi i Kuq, edhe rridhnin informacionet, edhe pse gardianët rrinin afër zyrtarëve të Kryqit të Kuq”.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT