Në Kroaci është paralajmëruar mbajtja e një proteste në orët e mbrëmjes, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Tubimi pritet të nisë në orën 18:00 dhe vjen pas protestave të ngjashme të mbajtura më herët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Organizatorët deklarojnë se qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit dhe kërkesa për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se pret që protestat të përmbyllen me një rezultat pozitiv, duke shprehur besimin se vendimi përfundimtar i gjykatës do të sjellë lirimin e tyre.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në procesin që po zhvillohet në Hagë. Të katër ata kanë mohuar të gjitha akuzat.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në vitin 2023 dhe ka nxitur reagime të vazhdueshme publike dhe protesta në disa vende, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


