Thursday, September 24, 2026
spot_img
HomeLajmePrangoset zyrtari në Rahovec, merrte deri në 500 euro ryshfet nga bizneset

Prangoset zyrtari në Rahovec, merrte deri në 500 euro ryshfet nga bizneset

Një person është arrestuar në Rahovec, nën dyshimin se u ka kërkuar dhe marrë ryshfet pronarëve të bizneseve, në këmbim të moskontrollimit të lokaleve të tyre apo shmangies së ndëshkimeve.

Rasti është zbuluar pasi Policia e Kosovës kishte pranuar informacione se i dyshuari, në periudha të ndryshme kohore, u kishte kërkuar ryshfet bizneseve. Pas pranimit të informacionit, Policia ka nisur menjëherë trajtimin e rastit.

Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi se i dyshuari ka pranuar ryshfet në shuma prej 300 deri në 500 euro, në disa raste të ndara, nga pronarë biznesesh.

“Me të gjitha veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘marrja e ryshfetit’ neni 421 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Të enjten, Policia ka kontrolluar edhe ambientin e punës, si dhe veturat të cilat i dyshuari i kishte nën shfrytëzim.

“Të gjitha veprimet hetimore policore kanë qenë të koordinuara me prokurorin përgjegjës të rastit ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe nga i njëjti është sekuestruar një telefon celular”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT