Policia e Kosovës ka marrë pjesë më 2 dhe 3 korrik në ushtrimin e përbashkët operacional “Shpata e Artë 2026-1”, i organizuar në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-in, EULEX-in dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME).
Policia tregon përmes një njoftimi se, ushtrimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e gatishmërisë për reagim të koordinuar në menaxhimin e incidenteve kritike dhe situatave me rrezik të lartë, përmes zbatimit të procedurave të përbashkëta operative.
Skenari i ushtrimit përfshiu reagim ndaj kërcënimeve të sigurisë, identifikim dhe menaxhim të mjeteve shpërthyese, menaxhim të protestave të dhunshme, përdorim të mjeteve të specializuara, evakuim të personave dhe koordinim të plotë ndërinstitucional në terren.
Në ushtrim u angazhuan njësi operative dhe mbështetëse të Policisë së Kosovës, përfshirë: DNJSO, NJRSH, NJTME, NJDA, DSHSH, si dhe njësitë e Rendit Publik.
Ushtrimi u ndoq nga drejtues të lartë të institucioneve pjesëmarrëse dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan nivelin e lartë të profesionalizmit, disiplinës operacionale dhe koordinimit ndërinstitucional gjatë realizimit të skenarit”, thekson Policia, transmeton Klankosova.tv.


