Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Sipas Policisë, gjatë protestës një grup personash ka hedhur vazhdimisht sende të ndryshme, mjete piroteknike dhe fishekzjarre në drejtim të objekteve shtetërore.
Në njoftimin e saj, PK-ja thotë se protestuesit kanë penguar edhe daljen e deputetëve nga Kuvendi. Sipas Policisë, disa prej tyre janë detyruar të kthehen sërish në objekt.
“Zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se si pasojë e hedhjes së sendeve dhe mjeteve piroteknike, por edhe ndezjes së kontejnerëve të mbeturinave dhe zjarreve në rrugë, janë shkaktuar dëme materiale.
Megjithatë, sipas PK-së, deri në këto momente nuk është raportuar për ndonjë lëndim serioz të personave.
Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të shmangin dëmtimin e pronës publike dhe të respektojnë ligjet gjatë protestës.
“Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apelojë te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet”, thuhet në reagim.
PK-ja ka njoftuar se zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore mbetet prioritet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


