Një aksident mes dy tramvajeve ka ndodhur paraditen e së mërkurës në urën Erasmus në Roterdam, duke lënë të paktën 15 persona të lënduar dhe duke ndërprerë qarkullimin në një nga pikat më të frekuentuara të qytetit.
Sipas autoriteteve lokale, përplasja ndodhi rreth orës 11:10, kur dy tramvaje u përfshinë në aksident, duke dalë nga shinat. Menjëherë në vendngjarje u angazhuan ekipe të zjarrfikësve, policisë, ndihmës së shpejtë dhe një ambulancë ajrore.
Shtatë të lënduar u transportuan në spital për trajtim, ndërsa njëri prej tyre raportohet të ketë pësuar lëndime të rënda. Personat e tjerë morën ndihmën e nevojshme mjekësore në vendin e ngjarjes.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan në përplasjen e tramvajeve.
Ndërkohë, kompania e transportit publik RET ka shprehur keqardhje për ngjarjen, duke theksuar se prioritet mbetet kujdesi për të lënduarit dhe mbështetja për stafin e përfshirë, ndërsa ka premtuar bashkëpunim të plotë me hetuesit për zbardhjen e rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


