Një përleshje mes disa personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në fshatin Varagë e Poshtme të Zubin Potokut, ku një person ka pësuar lëndime trupore, ndërsa është dëmtuar edhe një veturë, raporton Sinjali.
Rasti është raportuar rreth orës 02:00, pasi Policia është njoftuar nga një qytetar se në fshat po ndodhte një përleshje.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur viktimën, ndërsa personat që dyshoheshin për përfshirje në incident ishin larguar.
I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor, ku është konstatuar se kishte pësuar lëndime të lehta trupore. Më pas ai është intervistuar nga Policia.
Gjatë incidentit është dëmtuar edhe një automjet. Sipas të dhënave të rastit, nga goditja janë dëmtuar drita e përparme e djathtë dhe parafangoja.
Policia më pas ka kontaktuar përmes telefonit dy personat e dyshuar, të cilët janë ftuar të paraqiten në Stacionin Policor në Zubin Potok.
Të dy janë paraqitur vullnetarisht, por sipas burimeve nga prokuroria ndodheshin nën ndikimin e alkoolit.
Për këtë arsye, intervistimi i tyre është bërë pasi u kishte kaluar ndikimi i alkoolit.
Pas përfundimit të procedurave dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Dy të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


