Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me shqiptimin e gjobës në shumën prej 6 mijë euro, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme, të mbajtura më 7 qershor.
PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Organizatës Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor 2026 në Podujevë dhe Lipjan.
Pas bashkimit të procedurave, PZAP kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të nenit 5 paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.
Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV pretendon se dispozita e lartcekur nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin e tyre aktiv nga subjekti politik, dhe se në rastin konkret nuk ishte provuar një angazhim i tillë.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe provave të administruara në lëndë, siç thuhet, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pabazuar.
Njëherësh, gjykata vlerësoi se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat relevante të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se qëllimi i nenit 5 paragrafi 3 është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore.
“ Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në përputhje me qëllimin e saj mbrojtës dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, të garantuar nga instrumentet vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Gjykata Supreme ka vlerësuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nga fakti nëse të miturit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo nëse iniciativa për pjesëmarrje ka ardhur nga vetë ata”, thotë Supremja.
Gjykata Supreme gjithashtu thotë se PZAP, gjatë caktimit të gjobës, ka marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se subjekti politik ishte i njoftuar me obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme.
“Për këto arsye, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe ka refuzuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje si të pabazuar”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook./Klankosova.tv


