Thursday, July 2, 2026
spot_img
HomeLajmePDK reagon pas shtyrjes së aktgjykimit në Hagë: Gjykata Speciale e thelloi...

PDK reagon pas shtyrjes së aktgjykimit në Hagë: Gjykata Speciale e thelloi padrejtësinë

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar këtë si zvarritje të pajustifikueshme të një procesi që po zgjat prej vitesh.

Vendimi, që fillimisht pritej në maj, më pas u zhvendos për korrik, ndërsa tani është caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00, ka nxitur reagim të ashpër nga PDK.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e saj për shtyrjen e radhës së shpalljes së aktgjykimit në rastin kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi gjyqësor disa vjeçar, kjo nuk është më një vonesë procedurale, por një zvarritje e pajustifikueshme që cenon besimin në drejtësi dhe rëndon padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e UÇK-së, familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.

Dhomat e Specializuara kanë arsyetuar shtyrjen me vëllimin e madh të provave dhe kompleksitetin e procesit gjyqësor. Sipas njoftimit, Trupi Gjykues ka vlerësuar se zgjatja e kohës për kuvendime përligjet nga nevoja për një shqyrtim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes.

“Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.

Në reagim, PDK e konsideron çdo shtyrje të mëtejshme si të papranueshme.

“Partia Demokratike e Kosovës çdo zvarritje e konsideron të papranueshme dhe kërkon që aktgjykimi të bazohet vetëm në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit gjyqësor dhe në standardet më të larta të drejtësisë, duke u larguar nga çdo pretendim i pabazuar që është ngritur gjatë këtij procesi.”

Në fund, PDK kërkon mbylljen e procesit si “një padrejtësi shumëvjeçare” dhe pret që drejtësia të vihet në vend, në mënyrë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve të vendit.

Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, ndërsa ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit 2020. Gjatë gjykimit kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, ndërsa në rast janë përfshirë 156 viktima.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post PDK reagon pas shtyrjes së aktgjykimit në Hagë: Gjykata Speciale e thelloi padrejtësinë appeared first on Sinjali.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT