Friday, August 28, 2026
spot_img
HomeLajmePDK: Kosova është marrë peng, deputetët të kthehen dhe ta konstituojnë Kuvendin

PDK: Kosova është marrë peng, deputetët të kthehen dhe ta konstituojnë Kuvendin

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, së bashku me kolegë të saj nga partia, ka kërkuar nga salla e Kuvendit vazhdimin e seancës konstituive dhe kthimin e të gjithë deputetëve në Kuvend për përfundimin e procesit të konstituimit.

Musliu ka kritikuar situatën politike në vend, duke thënë se Kosova është “marrë peng” nga një parti që, sipas saj, i ka vendosur ambiciet për pushtet mbi interesat dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ajo ka përmendur qytetarët që presin politika më të mira në shëndetësi, punësim, bujqësi dhe mbështetje për bizneset, duke thënë se vendi nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale.

“Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet”, ka deklaruar Musliu.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po tregon se e ardhmja e qytetarëve dhe e shtetit nuk është më prioritet për të.

Musliu u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim partie, që të kthehen në Kuvend dhe të përfundojnë procesin e konstituimit.

“Ejani në Kuvend. Ejani ta konstituojmë Kuvendin e ta fillojmë punën. Kuvendi nuk është pronë e askujt. Kuvendi është i Kosovës dhe i qytetarëve të saj”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së theksoi se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe interesave shtetërore, duke kërkuar që bllokada institucionale të marrë fund.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT