Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që institucionet e Kosovës dhe spektri politik t’i trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë veprimet e mëtejshme që lidhen me procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një komunikate, PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e konsideruar prioritet votimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara që funksionojnë në Hagë, Holandë.
Gjithashtu, subjekti i dytë më i madh politik në vend ka ritheksuar mbështetjen për protestat që do të mbahen nesër në të gjitha komunat e Kosovës, të thirrura nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
“Institucionet e Kosovës dhe spektri politik duhet t’i trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë hapat institucionalë dhe ligjorë që lidhen me procesin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe fazat e mëtejshme të tij. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e konsideruar prioritet votimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftim.
PDK-ja i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë masivisht edhe në protestën e thirrur nga platforma “Liria ka emër”, e cila do të mbahet më 1 tetor 2026, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


