Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që, sipas PDK-së, mbron UÇK-në.
Në një reagim, PDK ka kërkuar nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e veprimeve që kjo parti i konsideron joproporcionale ndaj protestuesve.
Sipas PDK-së, lufta e UÇK-së është pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës. Partia ka deklaruar se mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore.
PDK ka pretenduar gjithashtu se nuk ka pengesë ligjore për miratimin e ligjit dhe përmbylljen e këtij procesi, duke iu referuar edhe opinionit të Qeverisë. Sipas kësaj partie, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe shpërfill kërkesën e qytetarëve.
Në reagim, PDK ka thënë se qytetarët, fëmijët e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët po protestojnë për një çështje që kjo parti e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin.
“Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve”, ka deklaruar PDK.
Partia ka kritikuar edhe veprimet e institucioneve të sigurisë gjatë protestës, duke i cilësuar masat e ndërmarra si “tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme”.
PDK ka ngritur akuza se institucionet e sigurisë po përdoren për qëllime politike dhe për, siç është shprehur kjo parti, “ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve”.
“Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në fund, PDK u ka bërë thirrje grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që, sipas saj, mbron UÇK-në.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


