Patrick Vieira është emëruar përzgjedhës i ri i Senegalit, duke marrë për herë të parë në karrierën e tij drejtimin e një kombëtareje.
Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) e ka konfirmuar të martën emërimin e ish-mesfushorit francez, i cili ka lindur në Dakar të Senegalit. Vieira do të pasojë Pape Thiaw, i cili u largua nga posti pas eliminimit të Senegalit nga Kampionati Botëror i këtij viti në fazën e 1/16-ve.
“Zotëri Patrick Vieira është trajneri i ri i kombëtares së Senegalit. Data e prezantimit zyrtar dhe hapat e ardhshëm për emërimin e tij do të bëhen të ditur në një njoftim të mëvonshëm”, thuhet në njoftimin e FSF-së.
50-vjeçari do të drejtojë një kombëtare për herë të parë, pas përvojave të tij në klubet e Anglisë, Francës dhe Italisë.
Vieira ka drejtuar Crystal Palace në Premier League, ndërsa në Francë ka qenë trajner i Nice dhe Strasbourg. Ai pati gjithashtu një eksperiencë të shkurtër në Itali, ku drejtoi Genoan në Serie A.
Ish-mesfushori është një nga lojtarët më të suksesshëm në historinë e futbollit francez. Vieira ishte pjesë e kombëtares së Francës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2000. Ai regjistroi më shumë se 100 paraqitje me fanellën e “Les Bleus”.
Në nivel klubesh, Vieira kujtohet veçanërisht për periudhën te Arsenali, ku zhvilloi mbi 400 ndeshje dhe fitoi tre tituj të Premier League.
Detyrat e tij të para me Senegalin do të nisin gjatë grumbullimit të ardhshëm të kombëtareve. Kampionët e Kupës së Kombeve të Afrikës të vitit 2021 do të fillojnë përgatitjet për edicionin e vitit 2027, ndërsa kualifikimet për këtë turne pritet të nisin në muajin shtator.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


