Pas publikimit të lajmit nga Gazeta Sinjali lidhur me një rast të raportuar në shkollën e fshatit Ratkoc në Rahovec, ka reaguar drejtoresha e institucionit arsimor, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ajo ka thënë për Sinjalin se nuk ka qenë ajo personi i kërcënuar, siç ishte raportuar fillimisht, por një mësimdhënës i shkollës.
Sipas drejtoreshës, ajo e ka denoncuar rastin në Polici pasi prindi i një nxënësi, i pakënaqur me vlerësimin e djalit të tij, dyshohet se ka kanosur një mësimdhënës të shkollës.
“Si drejtoreshë e Shkollës Fillore në Ratkoc, dëshiroj të sqaroj se nuk kam qenë e kërcënuar në asnjë rast. Kam bërë vetëm lajmërimin e një rasti ku një mësimdhënës ka qenë i kërcënuar dhe, si institucion, kemi vepruar sipas procedurave përkatëse për të mbrojtur sigurinë dhe rendin në shkollë. Lutem që informacionet të mos keqinterpretohen”, tha ajo për Sinjalin.
Rasti mbetet në hetim nga Policia e Kosovës, e cila, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka iniciuar procedurën për veprën penale “Kanosje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


