Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, shqiptarë nga diaspora kanë organizuar protestë në Nju Jork.
Protesta u mbajt mbrëmë në Times Square, ku pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pamje nga protesta ka publikuar në rrjetet sociale prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari. Në reagimin e tij, ai tha se diaspora shqiptare ishte mbledhur “si një trup i vetëm” për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Në Manhattan, në Times Square! Të gjithë bashkë, për një qëllim — liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Hajdari.
Ai theksoi se shqiptarët nga treva të ndryshme i bashkojnë Kosova, historia dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.
Hajdari tha gjithashtu se diaspora shqiptare, pavarësisht vendit ku jeton, nuk e harron sakrificën e popullit të Kosovës dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Në fund, prefekti i Tiranës ka bërë thirrje për bashkim rreth mesazheve për “liri, drejtësi dhe dinjitet”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


