Interi po përgatitet për ndryshime të mëdha në repartin defensiv për sezonin e ardhshëm, teksa në skenë ka dalë një emër i njohur nga Liga Premier.
Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se mbrojtësi i Manchester Cityt, Nathan Ake, i është ofruar klubit zikaltër, ku mund të ribashkohej me Manuel Akanjin.
“Nerazzurrët” synojnë ta rifreskojnë mbrojtjen, pasi Francesco Acerbi, Matteo Darmian dhe Stefan de Vrij pritet të largohen, ndërsa edhe Alessandro Bastoni dhe Carlos Augusto raportohet se po e shqyrtojnë të ardhmen e tyre.
Në këtë kontekst, “FCInterNews” raporton se Ake i është propozuar Interit nga disa ndërmjetës të merkatos, të cilët po bashkëpunojnë me agjentët e qendërmbrojtësit.
Kontrata e holandezit me Manchester Cityn është e vlefshme deri në qershor 2027, ndaj një shitje gjatë kësaj vere shihet si opsion logjik për klubin anglez, në mënyrë që të shmangë rrezikun e largimit të tij si lojtar i lirë në të ardhmen.
Ake, 31-vjeçar, në muajt e fundit është lidhur edhe me Bayer Leverkusen dhe Besiktas, ndërsa do t’i sillte Interit përvojë të konsiderueshme në mbrojtje. Manchester City kishte paguar rreth 45 milionë euro për transferimin e tij nga Bournemouth në vitin 2020. Më herët, ai ka qenë pjesë e Chelseat, Watfordit, Readingut dhe akademisë së Feyenoordit.
Ndërkohë, kujtohet se verën e kaluar kishte zëra për një largim të Akanjit nga City drejt Interit, por mbrojtësi zviceran ka rezultuar një nga më të qëndrueshmit te zikaltërit. Ai ishte transferuar në huazim me opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh, i cili do të bëhet i detyrueshëm nëse Interi fiton Scudetton — diçka që mund të ndodhë qysh këtë fundjavë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


