Wednesday, July 1, 2026
spot_img
HomeLajmeOVL-UÇK paralajmëron protesta pas shtyrjes së aktgjykimit në Hagë, s’e përjashton përshkallëzimin

OVL-UÇK paralajmëron protesta pas shtyrjes së aktgjykimit në Hagë, s’e përjashton përshkallëzimin

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protesta, madje pa përjashtuar as mundësinë e përshkallëzimit të tyre, pas vendimit të Gjykatës Speciale për ta shtyrë në 16 shtator shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjykata Speciale njoftoi të mërkurën se vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin do të shpallet më 16 shtator. Kjo është shtyrja e radhës e afatit, pasi më herët data e fundit ishte caktuar 20 korriku.

Në një reagim publik, OVL-UÇK e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke e akuzuar Gjykatën Speciale se po vepron në shërbim të Serbisë.

“OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm. Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia. Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë. Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT