NATO ka njoftuar se do të fillojë një proces gradual të optimizimit të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, duke reduktuar numrin e trupave të misionit paqeruajtës KFOR gjatë muajve të ardhshëm.
Vendimi vjen pas një vlerësimi të situatës së sigurisë në vend, e cila sipas Aleancës Veriatlantike ka shënuar përmirësim dhe stabilitet të vazhdueshëm në vitet e fundit. Në këtë kuadër, NATO kishte ndërprerë që në janar dislokimin e forcave rezervë që ishin angazhuar pas tensioneve të viteve të fundit.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali Alexus G. Grynkewich, theksoi se NATO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, zhvillimet pozitive në terren dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë kanë krijuar mundësi për rishikimin e pranisë aktuale të KFOR-it.
Megjithatë, NATO ka bërë të ditur se reduktimi i trupave do të kryhet në mënyrë graduale dhe në përputhje me situatën në terren. Aleanca ka theksuar se nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie dhe se vendimi mund të rishqyrtohet nëse paraqiten sfida të reja.
Pas tensioneve të vitit 2023 dhe incidenteve të dhunshme ndaj paqeruajtësve në veri të Kosovës, KFOR kishte shtuar praninë e tij me rreth 1.000 trupa shtesë, duke shënuar përforcimin më të madh të misionit në më shumë se një dekadë.
NATO gjithashtu ritheksoi mbështetjen për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se normalizimi i marrëdhënieve mbetet një element kyç për sigurinë afatgjatë dhe stabilitetin rajonal.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


