Kompania “Apetit Sh.P.K.” ka reaguar lidhur me ngarkesat me mish të gjedhit të freskët me origjinë nga Brazili, të prodhuara gjatë muajit shkurt 2026, duke sqaruar se këto produkte nuk kanë hyrë në procedurë importi dhe nuk janë vendosur në tregun e Kosovës.
Sipas komunikatës së kompanisë, ngarkesat kishin një afat të deklaruar prej 120 ditësh nga data e prodhimit dhe fillimisht ishte planifikuar që të mbërrinin në destinacion brenda rreth 45–50 ditësh.
Megjithatë, kompania thotë se, për shkak të problemeve të krijuara gjatë transportit detar ndërkombëtar, përfshirë ngarkesat dhe vonesat në portet e transitit, afati fillestar nuk është respektuar.
“Apetit” thotë se, pas mbërritjes në Portin e Barit në Mal të Zi, ngarkesat janë vendosur në magazina doganore shtetërore malazeze, nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente.
Kompania pohon se gjatë kësaj periudhe ka pritur për përfundimin e procedurave të nevojshme për ri-eksportimin e ngarkesave, në përputhje me kërkesat dhe udhëzimet e prodhuesit.
Reagimi i kompanisë vjen pas deklaratës së Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me shqetësimet e ngritura mbi cilësinë e mishit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


