Mbreti Charles III ka mbajtur një fjalim historik në një takim të përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, duke u bërë monarku i dytë britanik që i drejtohet ligjvënësve amerikanë në këtë format.
Ai është pritur me një ovacion të gjatë në këmbë dhe është duartrokitur sërish në përfundim të fjalimit të tij.
Në fjalën e tij, mbreti Charles ka vënë theksin te lidhjet e forta familjare dhe historike mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke i cilësuar ato si themel për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy vendeve.
Gjatë fjalimit, ai gjithashtu ka lavdëruar NATO-n, në një moment kur organizata është kritikuar shpesh nga Presidenti amerikan Donald Trump për qëndrimin e saj ndaj konfliktit me Iranin.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë të tensionuara që nga fillimi i luftës, veçanërisht pas kritikave të Trump ndaj Kryeministrit britanik Keir Starmer për refuzimin e tij për të ofruar mbështetje të konsiderueshme ushtarake.
Më herët gjatë ditës, Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump kanë pritur Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla me një ceremoni tradicionale ushtarake.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


