Qindra mijëra besimtarë nga e gjithë Spanja dhe vende të tjera u mblodhën në rrugët e Madridit për të marrë pjesë në meshën e hapur të udhëhequr nga Papa Leo XIV, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vend.
Sipas organizatorëve, më shumë se një milion njerëz morën pjesë në ceremoninë fetare të mbajtur në Plaza de Cibeles, duke e kthyer qendrën e kryeqytetit spanjoll në një nga tubimet më të mëdha fetare të viteve të fundit.
Papa Leo XIV përshëndeti turmat nga papamobili, ndërsa besimtarët valëvitnin flamuj të Spanjës dhe Vatikanit dhe brohorisnin në mbështetje të kreut të Kishës Katolike.
Gjatë predikimit të tij, Papa bëri thirrje për solidaritet, ndihmë ndaj të varfërve dhe mbështetje për njerëzit në nevojë, duke theksuar se besimi duhet të shfaqet përmes veprave dhe jo vetëm përmes fjalëve.
Në meshë morën pjesë edhe Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia, ndërsa autoritetet spanjolle kishin angazhuar masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e aktivitetit.
Vizita e Papës në Spanjë do të vazhdojë gjatë javës me takime dhe aktivitete të tjera fetare e institucionale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


