Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmeMbi 5.5 kilogramë drogë dhe armë konfiskohen në Ferizaj, kërkohet paraburgimi i...

Mbi 5.5 kilogramë drogë dhe armë konfiskohen në Ferizaj, kërkohet paraburgimi i dy personave

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikët dhe armëmbajtjen pa leje.

Të dyshuarit janë F.D., shtetas i Shqipërisë, dhe E.D., shtetas i Kosovës.

Sipas Prokurorisë, gjatë një aksioni të zhvilluar më 2 shtator 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit F.D.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar katër kavanoza me rreth 4.9 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 4.6 gramë substancë të dyshuar si kokainë.

Po ashtu, janë sekuestruar një peshore digjitale, materiale për paketim, qese të zbrazëta, një pistoletë me gaz me karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, një veturë “Passat” me targa të Shqipërisë, telefona, kartela SIM dhe sende të tjera.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të bodrumit të një banese në rrugën “Beteja e Koshares”, që dyshohet se lidhet me të pandehurin E.D., janë gjetur dhe konfiskuar 566 gramë marihuanë, si dhe disa sasi të tjera më të vogla.

Prokuroria bëri të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithsej mbi 5.5 kilogramë substanca të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe kokainë, si dhe një armë dhe municion.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”.

F.D. dhe E.D. ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh që nga 2 shtatori, ndërsa Gjykata pritet të vendosë lidhur me kërkesën për paraburgim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT