Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi një ngastër kadastrale me sipërfaqe prej 68 ari në zonën e Fakulteteve Teknike, duke penguar çdo veprim që mund të çojë në tjetërsimin e saj.
Vendimi është marrë më 24 gusht 2026, pasi Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton Sinjali.
Prona është komunale dhe ndodhet në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës. Masa e sigurisë ndalon shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike ose tjetërsimin e pronës në çfarëdo forme.
Sipas Universitetit të Prishtinës, mbi këtë pronë prej vitesh janë ngritur pretendime nga persona privatë. Ndaj Universitetit thuhet se janë paraqitur edhe kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë së hapësirës, të cilën UP-ja thotë se e ka shfrytëzuar ligjërisht për veprimtarinë akademike dhe institucionale.
Pretendimet mbi pronësinë lidhen me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, të datës 27 maj 1998. Në bazë të këtij dokumenti pretendohej se prona komunale kishte kaluar në pronësi private dhe më pas ishte bartur te persona të tjerë.
Rasti ishte trajtuar edhe nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Në raportin e 14 majit 2024, Komisioni kishte evidentuar dyshime serioze lidhur me dokumentacionin dhe historikun e pronës, duke kërkuar trajtimin e çështjes nga organet kompetente.
Universiteti e ka cilësuar vendimin si një zhvillim të rëndësishëm për mbrojtjen e pronës publike dhe shmangien e pasojave të mundshme milionëshe për buxhetin e shtetit.
UP-ja u ka bërë thirrje personave fizikë dhe juridikë që mbajnë apo shfrytëzojnë prona universitare pa bazë të qartë juridike, që t’i lirojnë dhe t’ia kthejnë Universitetit deri më 30 tetor 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


