Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë qëndrimit në New York është takuar me homologun e tij nga Grenada, Dennis Cornwall, të cilin e ka pritur në Konsullatën e Kosovës.
Sipas Muratit, në takim është diskutuar për shkëmbimin e përvojave, financat publike dhe digjitalizimin, ndërsa palët janë dakorduar që bisedimet të vazhdojnë në nivel teknik.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime me disa përfaqësues amerikanë, përfshirë kongresistët Joe Wilson dhe Mike Lawler. Në këto takime janë diskutuar raportet Kosovë-SHBA, siguria dhe mbrojtja, investimet, sundimi i ligjit dhe synimi i Kosovës për anëtarësim në NATO.
Megjithatë, gjatë kësaj vizite nuk është bërë e ditur ndonjë takim i Kurtit me zyrtarë të administratës amerikane në nivel ekzekutiv. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 22 shtator u takua në New York me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ku diskutuan marrëdhëniet SHBA-Serbi, investimet dhe çështjet politike.
Çështja e kontakteve të nivelit të lartë vjen në një kohë kur Dialogu Strategjik SHBA-Kosovë mbetet i pezulluar. Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit tha se dialogu mund të nisë kur të krijohen kushtet e përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb.
Në shtator të vitit 2025, SHBA-ja kishte njoftuar pezullimin e dialogut për një periudhë të pacaktuar, duke përmendur shqetësime lidhur me veprimet e qeverisë së atëhershme kujdestare që, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


