Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka vendosur detyrim të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram për importin e farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.
Për vendimin ka njoftuar ministrja në detyrë e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka bërë të ditur se të martën ka nënshkruar vendimin për vendosjen e kësaj mase.
Sipas Kusari-Lilës, vendimi është marrë pas një hetimi të zhvilluar nga Ministria, ku janë evidentuar dëshmi paraprake për import të farës së grurit me çmime damping dhe dëmtim të prodhuesve vendorë.
“Ky vendim është marrë pas hetimit të zhvilluar nga Ministria dhe dëshmive paraprake për import me çmime damping dhe dëmtim të prodhuesve vendorë. Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme. Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë. Do të përdorim çdo instrument ligjor në dispozicion për të mbrojtur prodhimin vendor, konkurrencën dhe interesin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


