Koreja e Veriut ka kritikuar ashpër planet e Japonisë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, duke e akuzuar Tokion se po përgatitet për luftë dhe se po shton tensionet në rajon.
Ministria japoneze e Mbrojtjes po kërkon një buxhet rekord për vitin e ardhshëm fiskal, i cili pritet të arrijë në rreth 8,900 miliardë jenë, afërsisht 48 miliardë euro.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, e cilësoi këtë si një “rritje të rrezikshme të buxhetit të luftës”, duke pretenduar se synimi i Japonisë është forcimi i kapaciteteve të saj ushtarake.
Pheniani paralajmëroi se një rritje e tillë e shpenzimeve mund të përkeqësojë situatën e sigurisë në Azinë Lindore.
Japonia ka rritur gradualisht shpenzimet e mbrojtjes në vitet e fundit, ka forcuar bashkëpunimin ushtarak me aleatët dhe ka vendosur sisteme raketore në disa prej ishujve të saj periferikë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ruajnë kanalet e komunikimit me Korenë e Veriut. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të takohet gjatë këtij viti me liderin verikorean, Kim Jong Un.
Uashingtoni gjithashtu ka zvogëluar përmasat e disa stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.
Edhe Kina ka shprehur shqetësim për forcimin ushtarak të Japonisë, duke e cilësuar atë si shenjë të një “militarizmi të ri”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


