Thursday, August 20, 2026
spot_img
HomeLajmeKonflikti për tokë përfundon me plagosje, si erdhi deri tek incidenti mes...

Konflikti për tokë përfundon me plagosje, si erdhi deri tek incidenti mes axhës dhe nipit? (VIDEO)

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Miradi të Epërme të Fushë Kosovës, ku një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se një person ka qëlluar me armë në drejtim të axhës së tij, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti familjar lidhur me një çështje pronësore, konkretisht për një mosmarrëveshje rreth një toke.

Gazetarja e Klan Kosovës, Diellza Berisha, raportoi nga vendi i ngjarjes se policia vazhdon të qëndrojë pranë shtëpive të viktimës dhe të dyshuarit, aty ku edhe ka ndodhur incidenti.

“Siç kemi biseduar me një familjar të dorasit, na ka thënë se bëhet fjalë për tokë, meqenëse sipas tij ka ardhur një person nga jashtë, bëhet fjalë për personin që është plagosur dhe ka bërë presion që të mos ndërtohet asgjë në tokën që ai e quan të tijën dhe për këtë arsye edhe ka nisur konflikti”, deklaroi ajo.

I dyshuari, i cili dyshohet se ka kryer plagosjen, është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë dhe më pas vetura është gjetur pranë shtëpisë së vëllait të tij, ndërsa i dyshuari ende nuk është lokalizuar nga policia.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ekipet hetuese dhe prokurori i rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë plumbi, e cila dyshohet se lidhet me armën e përdorur në rast.

Viktima është jashtë rrezikut për jetë dhe po merr trajtim mjekësor. Ai është intervistuar edhe nga policia, ndërsa mbrëmë janë marrë deklarata nga familjarët e përfshirë në rast.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT