Përplasjet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar ndjeshëm të mërkurën, pasi Garda Revolucionare iraniane njoftoi se ka ndërmarrë sulme ndaj një baze amerikane në Jordani dhe 21 objektivave të tjera në rajonin e Gjirit Persik, si hakmarrje për operacionet ushtarake amerikane pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas mediave iraniane, sulmet përfshinë objektiva në Kuvajt dhe Bahrein, ndërsa vijnë pas aksionit të ushtrisë amerikane, e cila tha se kishte goditur sisteme të mbrojtjes ajrore iraniane, stacione kontrolli tokësore dhe radarë pranë Hormuzit. SHBA-ja e justifikoi operacionin si përgjigje ndaj rrëzimit të një helikopteri ushtarak amerikan Apache të martën pranë ngushticës strategjike.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka fajësuar Iranin për sulmin ndaj helikopterit dhe ka paralajmëruar një reagim të ashpër.
“Unë besoj se përgjigjja duhet të jetë shumë e fortë, shumë e fuqishme”, deklaroi Trump për ABC News të martën.
Zhvillimet e fundit përbëjnë një nga përshkallëzimet më serioze që nga armëpushimi i arritur mes palëve në prill dhe shtojnë pasiguritë për mundësinë e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit të nisur më 28 shkurt, pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael kundër Iranit.
Teherani, ndërkohë, ka intensifikuar veprimet e tij duke goditur shtetet e Gjirit që strehojnë baza amerikane dhe duke rrezikuar bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka bërë të ditur se operacionet e fundit ushtarake kanë zgjatur rreth katër orë dhe se janë goditur afro 20 objektiva iraniane.
Media shtetërore iraniane raportoi se ishulli Qeshm dhe qyteti portual Sirik, pranë Ngushticës së Hormuzit, kanë qenë ndër zonat e sulmuara. Po ashtu, shpërthime janë dëgjuar në Bandar Abbas dhe më vonë pranë Jaskut, afër hyrjes së ngushticës.
Në reagim, Garda Revolucionare tha se ka goditur katër objektiva brenda bazës amerikane Al-Azraq në Jordani, duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi.
Megjithatë, forcat e armatosura jordaneze njoftuan se kanë kapur dhe rrëzuar pesë raketa të lëshuara nga Irani drejt bazës Al-Azraq. Sipas ushtrisë jordaneze, mbetjet e raketave ranë në territorin e Jordanisë, por nuk shkaktuan viktima apo dëme materiale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


