Avdullah Hoti është deklaruar përmes një postimi në rrjetet sociale pasi nuk ishte pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike që u mbajt sot.
Ai njëherësh ka falënderuar degën e këtij subjekti politik në Rahovec për besimin që i ka dhënë që të jetë kandidat për deputet.
“Falënderoj Degën e LDK-së në Rahovec për besimin që edhe njëherë të jem kandidat për Deputet.
Ky vlerësim është përgjegjësi dhe obligim për të vazhduar rrugën politike me dinjitet, përkushtim dhe besnikëri ndaj frymës rugoviane dhe vlerave të LDK-së.
LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ. Emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor. Asnjë individ nuk mund të jetë mbi LDK-në, sepse forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj e lavdishme.
Sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim i plotë për ta ndalur degradimin institucional dhe mendësinë autoritare që po tentohet t’i imponohet Republikës sonë. Kosova nuk ka nevojë për pushtet absolut, propagandë dhe mentalitet komunist që e sheh shtetin si pronë partie. Ka nevojë për demokraci, partneritet me aleatët dhe rikthim të normalitetit politik.
Prandaj, bashkë dhe me vendosmëri, do të angazhohemi për ta rikthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe për ta rrëzuar këtë logjikë përçarëse e autokratike që përfaqëson kryeministri në ikje”, tha Hoti, transmeton Klankosova.tv.


