Tre zyrtarë policorë të Stacionit të Policisë në Podujevë janë nderuar me medalje për shpëtimin e jetëve, pas veprimeve të tyre të guximshme në dy raste të rënda.
Në mesin e tyre është edhe polici Skender Fetahu, i cili më 2 korrik kishte intervenuar në një incident të rëndë në Podujevë, ku mbetën të plagosur tre persona.
Në një situatë të rrezikshme, Fetahu kishte vepruar me guxim dhe vetëmohim, duke arritur ta çarmatoste njërin nga të dyshuarit dhe të parandalonte përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.
Në anën tjetër, dy zyrtarët e tjerë policorë, Nazimi dhe Shqiproni, me intervenimin e tyre kishin arritur të parandalonin një tragjedi edhe më të madhe, duke ia shpëtuar jetën një vajze.
Për veprimin e tre policëve ka shprehur krenari edhe togerja Antigona Çitaku-Dibrani, e cila ka vlerësuar guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në shërbim të qytetarëve.
“Sot, tre heronj të Stacionit tonë u nderuan me medalje për shpëtim jete. Krenare për ju dhe për guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin që dëshmoni çdo ditë në shërbim të qytetarëve. Urime dhe respekt të pafund për ju!”, ka shkruar ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


