Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e votojnë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Haradinaj ka thënë se qytetarët duhet të dërgojnë porosi se nuk pajtohen me atë që i prishë raportet me aleatët dhe që i refuzon dy fabrika që të blejë rrymë nga Serbia.
“Unë ju them qytetarëve, ju lutem krijone këtë distancë me të, përmes votës. Pra, dërgone një porosi që nuk pajtoheni me marrëdhëniet e zbehura me aleatët, mosbesuese dhe me pasoja për sigurinë e Kosovës, e me sukses për armiqtë tanë. Dërgone edhe ju një porosi që nuk pranoni që dikush me e varfëru, me e qitë në dy gjunjë Kosovën në energji, për me i çu pare armiqve tanë. Mos e pranoni këtë logjikë dhe mos e amnistoni faktin. I kanë dalë dy projekte, dy fabrika, që me shku miliardat tona te Serbia, mos ia qitni votën. Mos ia qitni votën atij që sillet me kaq arrogancë, që gjithë jetën ka me na varfëru, e në fund me na i dhënë 100 euro.”, ka deklaruar Haradinaj.
Ish-kryetari i AAK-së, është ndalur veçanërisht te prishja e raporteve të Kosovës me aleatët, duke e konsideruar një gjë të tillë sit ë dhimbshme dhe me pasoja për vendin.
“Ne nuk kemi ndërkombëtarë, ne kemi aleatë. Ata që e kanë bombarduar Serbinë për ne dhe janë garant të sigurisë tonë, tërësisë territoriale. Ardian Gjini i njeh mirë këto raporte dhe ne po dëshirojmë me e kthy një marrëdhënie të mbështetur, të përkrahur e të privilegjuar me vendet e rajonit…si dhe ndihmat e tyre në proceset integruese. Këto marrëdhënie kurrë nuk kanë qenë më të dobëta. Të tregoj me shqetësim, kurrë mosbesim më i madh ndërmjet aleatëve dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo është një fitore e armiqve tanë, Rusisë e Serbisë, një shkallë kaq e lartë e mosbesimit”, ka thënë tutje ai. /Klankosova.tv


