Prokurorët gjermanë kanë ngritur akuza kundër një shtetasi ukrainas për shpërthimin në gazsjellësin “Nord Stream” nën Detin Baltik më 2022.
I dyshuari, i identifikuar vetëm si Serhii K sipas ligjeve gjermane për privatësinë, dyshohet se e ka udhëhequr dhe bashkërenduar sulmin ndaj gypave që transportonin gaz natyror nga Rusia drejt Gjermanisë, thuhet në raportet e mediave gjermane, transmeton televizioni BBC.
Ato thonë se ukrainasi është personi i njëjtë që ishte arrestuar në Itali verën e kaluar dhe ishte ekstraduar në Gjermani në nëntor. Ai ka mohuar se është i përfshirë në rastin e shpërthimeve.
Asnjë palë nuk ka pranuar se e ka kryer sulmin dhe Ukraina e ka mohuar përfshirjen në rastin që mund të ketë ndërlikime serioze për marrëdhëniet e saj me Gjermaninë.
Kompania ligjore nga Berlini, “Menaker”, e cila e përfaqëson burrin ukrainas, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se të mërkurën i është dorëzuar padia, pa dhënë hollësi rreth akuzave.
Prokurorët federalë konfirmuan për agjencinë e lajmeve AFP se një burrë është ngarkuar me akuza për shpërthimin.
Sipas transmetuesit publik gjerman, DW, i cili citoi raporte të mediave gjermane, i dyshuari akuzohet për udhëheqjen e një ekipi prej shtatë bashkëpunëtorësh në një operacion për shkatërrimin e tre prej katër gypave të gazit në gazsjellësin “Nord Stream”.
Ai gjithashtu akuzohet për sulm ndaj infrastrukturës civile të energjisë dhe shkaktim të një shpërthimi e shkatërrim të infrastrukturës.
Sulmi kishte shkaktuar rrjedhje rekorde të metanit në Detin Baltik dhe e kishte bërë të paoperueshme infrastrukturën multimiliardëshe.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


