Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmeGjenerali rus që dyshohet se urdhëroi sulmin ndaj spitalit në Kiev qëllohet...

Gjenerali rus që dyshohet se urdhëroi sulmin ndaj spitalit në Kiev qëllohet pranë shtëpisë

Një atentat është kryer mëngjesin e sotëm në rajonin e Saratovit në Rusi ndaj gjeneral-majorit Nikolai Varpakhovich, i cili dyshohet se dha urdhrin për sulmin me raketë ndaj spitalit të fëmijëve “Ohmatdit” në Kiev, në korrik të vitit 2024.

Sipas raportimeve të mediave ruse dhe ukrainase, oficeri ndodhet në gjendje kritike.

Kanali në Telegram “Dosje e Spiunëve” raportoi se Varpakhovich, komandant i Divizionit të 22-të të bombarduesve të rëndë të Forcave Ajrore dhe Hapësinore të Rusisë, u qëllua rreth orës 07:00.

Sipas kanalit rus Mash, sulmuesi kishte mbërritur me motoçikletë pranë shtëpisë së tij në fshatin Probuzhdeniye. I pajisur me helmetë, ai dyshohet se hapi zjarr ndaj gjeneralit, duke e goditur me një plumb në trup dhe një tjetër në fytyrë.

Gjatë sulmit u plagos edhe shoferi i tij, i cili arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe ta telefononte ambulancën.

Raportohet se mjekët ia kanë nxjerrë plumbat Varpakhovichit dhe po përgatiten ta transportojnë drejt Moskës me një fluturim të posaçëm.

Sulmuesi ende nuk është arrestuar. Komiteti Hetimor rajonal ka nisur procedurë penale për tentativë vrasjeje të një zyrtari ushtarak, ndërsa rasti është konfirmuar edhe nga agjencia shtetërore ruse TASS.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kishte njoftuar më 31 gusht se Varpakhovich ishte shpallur në mungesë i dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj gazetarëve të Reutersit në rajonin e Donetskut dhe spitalit “Ohmatdit”.

Sipas hetimeve ukrainase, ai kishte dhënë urdhrin për sulmin e 8 korrikut 2024, i kryer me një raketë lundruese Kh-101 të lëshuar nga një bombardues strategjik rus Tu-95MS.

Në momentin e sulmit, në spital ndodheshin mbi 600 pacientë. Dy persona u vranë, përfshirë një mjeke, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Ndërtesa e toksikologjisë u shkatërrua plotësisht, kurse katër objekte të tjera të spitalit u dëmtuan.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT