Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje të rasteve të fruthit në vend.
Sipas të dhënave të fundit, gjatë periudhës 16 prill – 17 gusht 2026 janë raportuar gjithsej 137 raste të konfirmuara me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja.
IKSHPK njofton se, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë, me 47 raste, dhe në Fushë Kosovë, me 34 raste. Pas tyre renditen Ferizaj me 12 raste, Obiliq me 8, Kaçaniku dhe Lipjani me nga 7 raste.
Raste të fruthit janë raportuar edhe në Skenderaj, Vushtrri dhe Drenas, me nga 3 raste, ndërsa Gjilani, Shtimja, Shtërpca dhe Deçani kanë nga 2 raste.
Me nga një rast janë raportuar në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
Për shkak të situatës epidemiologjike, ky Institut thekson se ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve kanë intensifikuar aktivitetet.
Gjatë javës së fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast kanë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimitIKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së, transmeton Klankosova.tv.


