Përplasja tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po hyn në një fazë të re, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar tarifa prej 50 për qind ndaj veturave, kamionëve, pjesëve të automjeteve dhe çelikut kanadez.
Trump ka bërë të ditur se masat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, pas dështimit të negociatave tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës. Ai ka deklaruar se kompanitë që prodhojnë në SHBA nuk do t’u nënshtrohen këtyre tarifave.
Ndërkohë, Kanadaja ka paralajmëruar se nuk do të mbetet pa përgjigje.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka thënë se Otava do t’i kundërpërgjigjet Uashingtonit me masa “dollar për dollar”, duke nisur nga 8 shtatori. Në listën e produkteve që mund të goditen me tarifa përfshihen çeliku, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake dhe elektronika amerikane.
Bisedimet mes dy vendeve kishin qenë intensive, por përfunduan pa marrëveshje pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për kërkesa dhe ndryshime të bëra në momentet e fundit.
Carney ka deklaruar se pala amerikane “kërkoi shumë dhe ofroi shumë pak”, ndërsa negociatori kryesor amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, ka fajësuar Kanadanë për kërkesa të reja dhe është përpjekur të minimizojë rëndësinë e dështimit të negociatave.
Përplasja e re rrezikon të thellojë më tej luftën tregtare mes dy aleatëve dhe partnerëve të mëdhenj ekonomikë të Amerikës së Veriut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


