Sunday, June 28, 2026
spot_img
HomeLajmeEksperti i energjisë: Projekti për gazin nga thëngjilli, i parealizueshëm dhe i...

Eksperti i energjisë: Projekti për gazin nga thëngjilli, i parealizueshëm dhe i vdekur (VIDEO)

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa sot në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova ka komentuar çështjen e gazit amerikan dhe deklaratat e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Haxhimusa tha se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ta sqarojnë mjaftueshëm këtë çështje, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe spekulime.

 “Për fat të keq, institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast qeveria e Republikës së Kosovës, përderisa ne po diskutojmë edhe shpesh po pyetemi për këtë çështje, nuk po mbërrijnë me e menaxhu, me hedhë pak dritë në këtë temë dhe mos me na lënë ne këtu të spekulojmë nëse e duam apo nuk e duam, apo e marrim apo nuk po e marrim, për shkak se e dimë ndjeshmërinë e lidhjeve që i kemi Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Sipas tij, deklarata Rizvanollit ka sqaruar disa elemente, por njëkohësisht ka ngritur dilema të reja, sipas tij, rreth drejtimit që synon të marrë Qeveria në detyrë në sektorin e energjisë.

Haxhimusa u shpreh se ideja për gazifikimin e thëngjillit në Kosovë nuk është e realizueshme.

“Një deklaratë e tillë, në njërën anë ka hedhur dritë në diçka, në anën tjetër e ka bërë pak më terr apo pak më të vështirë ndoshta me e parashiku se çfarë saktë është duke dashur qeveria e Republikës së Kosovës. Do të ishte shumë e mirë po të ishte e mundur që Kosova ta gazifikonte thëngjillin, mirëpo, si në aspektin teknik, inxhinierik dhe ambiental, një projekt i tillë unë besoj që është i vdekur hiç pa filluar, për shkak se ekonomikisht nuk është i mundur, financiarisht nuk është i mundur me qenë një gaz i tillë konkurrues me gazin amerikan apo çfarëdo gazi qoftë ai, edhe rus qoftë, apo edhe nga Uzbekistani, apo kudo që vjen. Nuk mund të jetë ai gaz konkurrues dhe, kur ai nuk është konkurrues, atëherë kush do ta konsumojë atë, përderisa e ke më lirë me e ble diku tjetër?”, deklaroi ai.

Ai shtoi se një projekt i tillë bie ndesh edhe me rregullativat e reja të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, gjë që e bën të vështirë sigurimin e financimit, raporton Klankosova.tv.

“Në aspektin ambiental, një projekt i tillë është në kundërshtim me rregullativat e reja të Bashkimit Evropian, rregullativat ambientale të Bashkimit Evropian. Prandaj, një diçka e tillë e shtron një pyetje tjetër se si do të financohet kjo. Në rast se Bashkimi Evropian është kundër kësaj, atëherë shumë vështirë është me i gjet fondet e Bashkimit Evropian për me financu një projekt të tillë, i cili ka shuma miliardëshe për me u financu, një projekt i tillë i cili do të mund ta zëvendësonte, në këtë rast, gazin amerikan apo cilindo projekt tjetër të gazit”.

Sipas tij, edhe institucionet financiare ndërkombëtare kanë mbyllur dyert për projektet ku thëngjilli mbetet burim energjie.

“Dhe, në anën tjetër, edhe bankat me rëndësi, të cilat kanë fuqi financiare me financuar projekte të tilla, edhe ato i kanë mbyllur dyert për secilin projekt ku thëngjilli është burim energjie. Domethënë, kupton që është e vështirë, por edhe për të njëjtën arsye dështoi edhe projekti i financimit të Kosovës së Re.Prandaj është e vështirë financiarisht, në aspektin ambiental dhe ekonomik, që një projekt i tillë të realizohet”, tha ai./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT