Një vjedhje e rëndë që dyshohet se u krye pa thyer asnjë derë apo dritare ka çuar në arrestimin e dy të miturve në Mitrovicë, mëson Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 8 qershor, një 38-vjeçar kishte raportuar në Polici se nga dhoma e tij ishte zhdukur një kasafortë në të cilën mbante rreth 10 mijë euro para të gatshme.
Sipas ankuesit, personat e dyshuar kishin hyrë në banesë duke përdorur çelës, pasi në vendin e ngjarjes nuk ishin vërejtur shenja dhune apo depërtimi me forcë.
Pas hetimeve intensive, Policia identifikoi si të dyshuar fillimisht një 15-vjeçar, me inicialet E.H., i cili gjatë intervistimit, në prani të avokatit, prindit dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, dyshohet se ka pranuar përfshirjen në vjedhje dhe ka deklaruar se veprën e kishte kryer bashkë me një të mitur tjetër.
Më pas, hetuesit arrestuan edhe të dyshuarin e dytë, me inicialet M.O., 16 vjeç, i cili po ashtu u intervistua në prani të mbrojtësit, prindit dhe zyrtarit të QPS-së.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit për të Mitur, ndaj të dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.
Hetimet lidhur me fatin e kasafortës dhe shumës prej 10 mijë eurosh janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


