Friday, September 4, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Videoja në Snapchat i hap telashe “Darkos” nga Rahoveci –...

Ekskluzive | Videoja në Snapchat i hap telashe “Darkos” nga Rahoveci – Policia ia bastis shtëpinë pas pamjeve duke shtënë me armë

Një video e publikuar në Snapchat, ku një person shihet duke shtënë me armë zjarri, ka aktivizuar hetuesit policorë në Rahovec dhe ka çuar deri te bastisja e shtëpisë së personit të dyshuar, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Senad Raba, 34-vjeçar, i njohur me nofkën “Darko”, i cili aktualisht jeton dhe punon në Slloveni.

Gjithçka lidhet me një video të publikuar më 5 gusht, në llogarinë e tij në Snapchat. Sipas informacioneve që ka Sinjali, Raba dyshohet se në pamjet e publikuara shihej duke shtënë me pistoletë.

Informacionet operative të siguruara nga Policia kanë vënë në lëvizje Sektorin e Hetimeve.

Gati një muaj më vonë, më 3 shtator, hetuesit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë siguruar autorizimin dhe kanë kryer kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.

Por arma që kërkohej nuk është gjetur.

Gjatë bastisjes nuk është hasur asnjë send i kundërligjshëm, ndërsa në shtëpi ndodheshin prindërit e të dyshuarit.

Vetë Raba nuk ndodhej në Kosovë. Sipas informacioneve të Sinjalit, ai kishte dalë nga vendi përmes pikës kufitare në Merdare më 23 shkurt 2026 dhe ndodhet në Slloveni, ku jeton me familjen prej rreth dy vitesh.

Hetuesit tash presin kthimin e tij në Kosovë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, Raba pritet të vijë në vend dhe më pas të merret në pyetje lidhur me videon, armën që dyshohet se është përdorur dhe rrethanat në të cilat janë realizuar të shtënat.

Rasti po trajtohet nën dyshimet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Hetimet pritet të sqarojnë edhe një element kyç të rastit: ku ndodhet arma që shihet në videon e publikuar në Snapchat.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT