Një operacion i Antidrogës në fshatin Biqec të Kaçanikut ka përfunduar me arrestimin e një 30-vjeçari, i cili dyshohet se nga shtëpia e tij merrej me shitjen e substancave narkotike të llojit marihuanë, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Bujan Palloshi.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit e Antidrogës në Ferizaj kishin siguruar informacione operative se Palloshi dyshohej se shiste marihuanë nga shtëpia e tij në fshatin Biqec.
Mbi bazën e këtyre dyshimeve, më 14 gusht është ekzekutuar urdhërkontrolli i lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Në operacion, përveç hetuesve të Antidrogës, kanë asistuar Njësia e Reagimit të Shpejtë, Njësia K-9 dhe hetuesit policorë nga Kaçaniku.
Gjatë bastisjes së dhomës së të dyshuarit, Policia ka gjetur dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 30.44 gramë dhe 1.13 gramë. Por hetuesit kanë gjetur edhe rreth 130 qese të zbrazëta, për të cilat dyshohet se shërbenin për paketimin e marihuanës, një grinder për bluarje dhe letra për mbështjellje. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një iPhone 15 Pro Max, si dhe 35 euro para të gatshme.
Ndërkohë, kontrolli ka çuar edhe në një tjetër gjetje. Në çatinë e shtëpisë është gjetur një pushkë gjuetie “AXARAX”, e cila është trajtuar nga Stacioni Policor në Kaçanik.
Për operacionin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda.
Pas intervistimit, ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Rasti po hetohet nën dyshimet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


