Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Hasit, ku një person ka mbetur i lënduar dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur në fshatin Gjonaj, ku pas një konflikti mes disa personave, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilat kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë në përleshje.
Sipas informacioneve të para, ende nuk dihet se me çfarë mjeti është goditur viktima, ndërsa rrethanat e incidentit mbeten të paqarta.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se policia është duke mbledhur dëshmi dhe prova materiale, ndërsa pritet që të ndërmerren veprime të mëtejshme ligjore ndaj të dyshuarve.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


