Friday, June 12, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Marihuana e fshehur në një shishe qelqi çon në pranga...

Ekskluzive | Marihuana e fshehur në një shishe qelqi çon në pranga dy të mitur në Prizren – bastisen shtëpitë e tyre

Një rast i pazakontë i dyshuar i shpërndarjes së narkotikëve ka çuar në arrestimin e dy të miturve në Prizren, pasi hetimet e Policisë zbuluan gjurmë që dyshohet se i lidhin ata me drogën e gjetur disa ditë më parë në një rrugë të qytetit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gjithçka nisi më 8 qershor në rrugën “Tahir Gashi”, kur qytetarët njoftuan Policinë pasi kishin vërejtur në tokë një shishe qelqi të dyshimtë dhe një kamerë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësitë e forenzikës dhe hetuesit e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prizren, të cilët sekuestruan si prova materiale:

  • një shishe brenda së cilës ndodheshin 16 doza të ndara për shitje, të dyshuara si marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 23.05 gramësh dhe vlerë të përafërt prej 115 euro në tregun ilegal;
  • një kamerë të zezë të tipit 4G.

Pas disa ditësh hetime, mbrëmjen e 11 qershorit, rreth orës 21:50, Policia arriti të identifikojë dhe arrestojë dy të mitur, me inicialet E.B. rreth 17 vjeç dhe E.K. rreth 16 vjeç, të cilët dyshohen se lidhen me këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Me urdhër verbal të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Prizren, janë bastisur shtëpitë, objektet përcjellëse dhe automjetet e të dyshuarve.

Gjatë kontrollit në pronën e të dyshuarit E.K., Policia ka gjetur dhe sekuestruar disa qese plastike të zbrazëta, të cilat dyshohet se shërbenin për paketimin e substancave narkotike të llojit marihuanë.

Të dy të miturit janë shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ku janë intervistuar në prani të personave kompetentë. Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT