Friday, June 12, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive: Këta janë dy të arrestuarit në aksionin për sistemin paralel serb...

Ekskluzive: Këta janë dy të arrestuarit në aksionin për sistemin paralel serb në Kamenicë – u sekuestruan vula të Serbisë, dokumente dhe mijëra euro

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e dy personave të arrestuar në aksionin e Policisë së Kosovës, gjatë të cilit u sekuestruan dokumente të sistemit paralel serb, pajisje elektronike, vula zyrtare dhe para të gatshme.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar Negovan Vasiq (47-vjeçar) dhe Dragan Kristiq (1981).

Sipas dosjes hetimore, Negovan Vasiq dyshohet për veprën penale “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë, lokalin dhe objektet që ai shfrytëzonte, si dhe në shkollën “Bratsvo” në fshatin Strezoc, janë gjetur dhe sekuestruar dokumente që dyshohet se lidhen me funksionimin e sistemit paralel serb.

Në mesin e materialeve të konfiskuara janë:

  • një vulë me stemën e Republikës së Serbisë;
  • dokumentacion mbi punësimet dhe administrimin sipas sistemit paralel;
  • dokumente me të dhëna që ndërlidhen me Listën Serbe;
  • gjashtë laptopë;
  • katër njësi kompjuterike;
  • një USB dhe një telefon mobil.

Ndërkaq, Dragan Kristiq dyshohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Gjatë bastisjes në pronën e tij, Policia ka sekuestruar një pushkë ajrore të tipit Daisy Mod 1894 B-B Gun, si dhe një shumë të konsiderueshme parash të gatshme në valuta të ndryshme.

Sipas burimeve, janë konfiskuar:

  • 9,200 euro në prerje prej 200 euro;
  • 5,500 euro në prerje prej 100 euro;
  • 4,450 euro në prerje prej 50 euro;
  • si dhe dinarë serbë, dollarë amerikanë dhe franga zvicerane.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bazë të urdhër-kontrollit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ndërsa pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT