Një 20-vjeçar nga Prishtina ka mbetur pa motoçikletën e tij vetëm pak orë pasi ajo ishte lënë e parkuar në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “B”, afër rrethit te Farmedi. Sipas informacioneve, pronari i motoçikletës, L. B., kishte qenë jashtë vendit dhe ia kishte huazuar motoçikletën e tij NAS-Xmax një shoku, duke e udhëzuar që ta parkonte para marketit Viva Fresh.
Kur është kthyer më 8 qershor, ai e kishte parë motoçikletën në vendin ku ishte lënë. Por, kur kishte shkuar ta merrte rreth tetë orë më vonë, ajo nuk ndodhej më aty.
Rasti është raportuar në Polici më 9 qershor, rreth orës 12:05. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorit apo autorëve të panjohur janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


