Inan Mahmuti, një nga të dyshuarit e arrestuar më 2 prill 2026 për kultivim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Prizren, është një emër i njohur për organet e rendit dhe për publikun.
Ky arrest vjen pas një operacioni të gjerë policor në rrugën “Enver Hadri”, ku u zbuluan pajisje për kultivim, një bimë kanabisi, substanca të dyshuara narkotike, një armë zjarri me municion, si dhe automjete.
Burimet bëjnë të ditur se të dyshuarit paraprakisht kanë asgjësuar rreth 300 bimë kanabisi, duke i djegur në një lokacion afër autostradës.
Ky nuk është rasti i parë që lidhet me Inan Mahmutin.
Më 28 gusht 2024, Sinjali raportoi ekskluzivisht për përfshirjen e tij në një rast të përleshjes brutale në Prizren, ku ai dhe një tjetër person u dyshuan për kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”.
Ngjarja kishte ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që lidhej me ngacmimin e fëmijëve dhe kishte përfunduar me arrestimin e dy personave dhe kërkesë për paraburgim.
Në vitin 2022, ai ishte arratisur dhe gjatë asaj periudhe ishte i përfshirë në vjedhje, të cilat u raportuan ekskluzivisht nga Sinjali, përfshirë lëndim të rëndë trupor dhe rrahje brutale.
Raportimet ekskluzive të Sinjalit tregojnë se Inan Mahmuti ka pasur kontakte të mëparshme me drejtësinë dhe ka qenë objekt i hetimeve dhe raportimeve mediatike për veprimtari kriminale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


