Sunday, August 23, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Gjuan me armë nga Mercedesi në mes të natës –...

Ekskluzive | Gjuan me armë nga Mercedesi në mes të natës – përballë i del patrulla e Policisë, 55-vjeçari përfundon në ndalim

Një skenë e pazakontë është regjistruar në orët e para të së dielës në Çikatovë të Re të Drenasit, ku një 55-vjeçar dyshohet se ka shtënë me armë derisa po lëvizte me Mercedes, por veprimi i tij është pikasur direkt nga një patrullë policore.

Sinjali mëson se i dyshuari është Afrim Isufi, 55 vjeçar, nga Çikatova e Re, i cili është ndaluar në vend dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ngjarja ka ndodhur më 23 gusht, rreth orës 02:20.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, patrulla policore po operonte në Çikatovë të Re kur ka vërejtur një veturë të tipit Mercedes duke lëvizur në drejtim të saj.

Derisa automjeti po afrohej, shoferi dyshohet se ka shtënë me armë gjatë lëvizjes.

Policët kanë reaguar menjëherë dhe e kanë ndaluar automjetin, ndërsa në vendngjarje janë thirrur edhe njësitë relevante për ekzaminimin e lokacionit.

Gjatë veprimeve policore është gjetur dhe sekuestruar një revole me gaz, por edhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Në total, Policia ka konfiskuar 88 fishekë të kalibrit 9 mm dhe tetë gëzhoja, të cilat janë marrë si prova materiale.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për dy vepra penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pas përfundimit të procedurave fillestare, Afrim Isufi është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe motivin e të shtënave.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT